
Në ceremoninë përmbyllëse të panairit u bënë publike kompanitë e para që kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre për edicionin e ardhshëm, duke dëshmuar suksesin e jashtëzakonshëm të edicionit të parë të këtij organizimi.
Themeluesja e panairit, Sherife Kçiku Vishaj, bëri të ditur se shumë prej brendeve pjesëmarrëse kanë rezervuar menjëherë hapësirat e tyre edhe për vitin e ardhshëm.
Ndër kompanitë që tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë: Onze, Dermedis, Valis Skincare, Agrodita, Miki Make Up Artist, 99 Lule, Ital Wax, Vlora Wax, Flutur Cosmetics, Be Hair, Pharmacesis, Rosarita, Rinesa Lashes dhe Mak Cosmetics.
Sipas Sherife Kçiku Vishajt, interesimi i menjëhershëm i kompanive për edicionin e ardhshëm është dëshmi e qartë se Beauty Fair Kosova ka arritur të krijojë një platformë serioze dhe me vlerë për industrinë e bukurisë në Kosovë.
“Ky është vetëm fillimi. Fakti që kompanitë konfirmuan pjesëmarrjen për vitin e ardhshëm menjëherë pas përfundimit të edicionit të parë tregon se panairi ka tejkaluar pritjet dhe ka krijuar mundësi reale promovimi, rrjetëzimi dhe bashkëpunimi për bizneset e industrisë së bukurisë,” deklaroi ajo.
Edicioni i parë i Beauty Fair Kosova mblodhi mijëra vizitorë, profesionistë të estetikës, klinika, sallone bukurie dhe kompani të kozmetikës, duke e shndërruar panairin në një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë së beauty dhe wellness në vend.
Organizatorët kanë paralajmëruar se edicioni i ardhshëm do të jetë edhe më i madh dhe më spektakolar, me më shumë kompani ndërkombëtare, aktivitete profesionale dhe prezantime ekskluzive për publikun dhe profesionistët e industrisë.