
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka vizituar panairin e bukurisë “Beauty Fair”, i cili ka hapur dyert për vizitorët në Prishtinë. Përmes një postimi në llogarinë e saj në Instagram, ajo ka ndarë momente nga kjo ngjarje, duke vlerësuar lart punën dhe inovacionin në këtë sektor.
Gjatë vizitës dhe komunikimit me ekspozuesit, Ministrja Kusari-Lila theksoi rëndësinë e këtij organizimi për ekonominë lokale, duke potencuar se “Panairi i Bukurisë promovon bizneset dhe imazhin e vendit”.
Në këtë edicion të panairit po prezantohen produkte dhe shërbime inovative nga plot 30 biznese të fushës së estetikës dhe kujdesit personal. Një fakt tejet inkurajues, i cili u theksua edhe gjatë vizitës së saj, është se shumica e këtyre bizneseve janë në pronësi dhe menaxhohen nga gratë ndërmarrëse, duke dëshmuar rolin e fuqishëm dhe në rritje të gruas në sipërmarrjen kosovare.

Kjo vizitë reflekton mbështetjen institucionale ndaj industrisë së bukurisë dhe shërbimeve, e cila çdo ditë e më shumë po sjell standarde ndërkombëtare dhe trajtime të avancuara.